ShBA-ja e ekzekutoi të dënuarin me vdekje edhe pse prokurorët dhe familja e viktimës ishin kundër - NACIONALE

ShBA-ja e ekzekutoi të dënuarin me vdekje edhe pse prokurorët dhe familja e viktimës ishin kundër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Missouri, shtet i ShBA-së, të martën ekzekutoi një burrë të dënuar me vdekje, pavarësisht nga ankesat e prokurorëve, të cilët synonin që ta shfuqizonin vendimin dhe t’i përkrahnin pretendimet e tij për pafajësi.

Marcellus Williams, 55 vjeç, u ekzekutua përmes injeksionit vdekjeprurës, duke i dhënë fund një beteje që ka nxitur shumë reagime, pasi zyra që fillimisht e kishte trajtuar rastin sugjeroi se ai ishte dënuar në mënyrë të gabuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Në një lëvizje të jashtëzakonshme, që është dënuar nga mbrojtësit e të drejtave civile dhe ligjvënës në mbarë ShBA-në, kryeprokurori i Missourit, Andrew Bailey, e çoi përpara ekzekutimin kundër dëshirës së zyrës së prokurorit lokal në distriktin St Louis.

Williams ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Lisha Gayle-s më 1998. Ajo ishte punëtore sociale dhe ish-reportere e “St Louis Post-Dispatch”. Ai akuzohej se kishte hyrë në shtëpinë e viktimës, e kishte therur për vdekje dhe kishte vjedhur disa gjëra të saj.

Megjithatë, asnjë dëshmi e forenzikës nuk e kishte lidhur Williamsin me armën e vrasjes ose skenën e krimit dhe, përderisa prokurorët lokalë kishin hequr dorë nga dënimi për të, edhe familja e viktimës dhe disa gjykatës gjithashtu e kishin kundërshtuar ekzekutimin e të dënuarit.

I biri i Williamsit dhe dy prej avokatëve të tij e shikuan procesin e ekzekutimit nga një dhomë tjetër, raportoi agjencia “Associated Press”. Williamsi u duk sikur po fliste me një këshilltar shpirtëror pranë tij në momentet e fundit. Në një deklaratë përfundimtare të lëshuar nga zyrtarët korrektues, ai tha: “I tërë Lavdi është për Allahun në secilën situatë!!!”

Williams, që kishte shërbyer si imam në burg dhe kishte ndarë kohë për poezi, dy herë i ishte shtyrë ekzekutimi në minutën e fundit – më 2015 dhe 2017.

Në gusht, Williamsi dhe prokurorët kishin arritur një marrëveshje për ta parandaluar ekzekutimin e tij: ai nuk do të paraqiste kontestim ndaj akuzës për vrasje të shkallës së parë në këmbim të dënimit me burgim të përjetshëm pa mundësi lehtësimi.

Avokatët e tij thanë se marrëveshja nuk ishte pranim i fajësisë dhe se ajo nënkuptonte që jeta e të dënuarit do të kursehej, përderisa ai do të paraqiste dëshmi të reja për ta vërtetuar pafajësinë. Një gjykatës e kishte nënshkruar marrëveshjen dhe njësoj kishte vepruar edhe familja e viktimës, por kryeprokurori e kishte sfiduar atë dhe Gjykata Supreme në Missouri e kishte bllokuar paktin./Nacionale

Lajme të ngjashme