Sanchezi thotë se Spanja do ta njohë shtetësinë e Palestinës në korrik - NACIONALE

Sanchezi thotë se Spanja do ta njohë shtetësinë e Palestinës në korrik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Spanja do ta njohë shtetësinë palestineze më së largu në korrik, u tha gazetarëve kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, gjatë një udhëtimi nëpër Lindje të Mesme, sipas disa raportimeve të publikuara të martën në mediat spanjolle.

Agjencia shtetërore e lajmeve, EFE, dhe gazetat “El Pais” e “La Vanguardia” e cituan Sanchezin ta ketë bërë deklaratën joformale para gazetarëve udhëtarë të hënën në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, në ditën e parë të vizitave në Jordani, Katar e Arabi Saudite, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas raportimeve, Sanchezi tha se ai pret që të shpalosen ngjarje në konflikt para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në fillim të qershorit dhe i vuri në pah debatet e vazhdueshme në Kombet e Bashkuara.

Ai pret që Spanja t’ua ofrojë njohjen palestinezëve në korrik, tha kryeministri, duke shtuar se beson që së shpejti do të jetë një “masë kritike” brenda Bashkimit Evropian për të shtyrë disa shtete anëtare që ta zbatojnë pozicionin e njëjtë, sipas agjencisë EFE.

Në një takim të Këshillit Evropian më 22 mars, Sanchezi tha se ai ishte pajtuar me udhëheqësit e Irlandës, Sllovenisë dhe Maltës për t’i “bërë hapat e parë” drejt njohjes së shtetësisë së shpallur nga palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

Në atë kohë, ai tha se priste që njohja të ndodhte gjatë legjislaturës së tanishme 4-vjeçare që nisi vitin e kaluar.

Si kundërpërgjigje, Izraeli u tha këtyre katër shteteve se plani i tyre përbën “shpërblim për terrorizëm” që do t’i pakësojë gjasat për një zgjidhje të negociuar për konfliktin e Gazës.

Shtetet arabe dhe BE-ja ishin pajtuar në një takim në Spanjë në nëntor se një zgjidhje me dy shtete është përgjigjja ndaj konfliktit palestinezo-izraelit.

Nga viti 1988, 139 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetësinë palestineze.

Lajme të ngjashme