Sanchezi i Spanjës i bën thirrje botës që të mos i shesë më armë Izraelit - NACIONALE

Sanchezi i Spanjës i bën thirrje botës që të mos i shesë më armë Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të premten i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta ndërpresë shitjen e armëve në Izrael dhe i dënoi sulmet e forcave të armatosura izraelite kundër forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban.

Forcat izraelite shtien drejt një pike të vëzhgimit që përdoret nga paqeruajtësit e OKB-së në jug të Libanit të premten, duke lënduar dy prej tyre, thanë një burim në OKB, në ditën e tretë rresht që paqeruajtësit kanë raportuar për zjarr izraelit drejt pozicioneve të tyre, përderisa Izraeli po e vazhdon luftën kundër Hezbollahut, raporton agjencia “Reuters”.

Asnjëri prej ushtarëve spanjollë që ishin pjesë e misionit nuk është goditur, tha të premten Ministria e Mbrojtjes e Spanjës.

Spanja ka dislokuar 650 paqeruajtës në Liban dhe një gjeneral spanjoll e udhëheq misionin atje.

“Më lejoni që në këtë pikë t’i kritikoj dhe t’i dënoj sulmet që forcat e armatosura izraelite janë duke i kryer ndaj misionit të Kombeve të Bashkuara në Liban” – tha Sanchezi pas takimit me Papa Françeskun në Vatikan.

Spanja rishtazi ka shprehur qëndrime kritike ndaj Izraelit gjatë eskalimit të ri të konfliktit në Lindje të Mesme.

Sanchezi tha se Spanja e ka ndërprerë shitjen e armëve në Izrael në tetor të vitit 2023 dhe i bëri thirrje pjesës tjetër të botës që të veprojë njësoj për ta parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës në rajon.

“Mendoj se është urgjente, duke e marrë parasysh atë që është duke ndodhur në Lindje të Mesme, që komuniteti ndërkombëtar ta ndërpresë eksportimin e armëve te qeveria izraelite” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme