Samiti i BE-së vazhdon të premten, do të diskutohen vështirësitë ekonomike
Udhëheqësit e BE-së do të takohen të premten për të diskutuar rreth vështirësive ekonomike, kufizimin e furnizimit me gaz nga Rusia dhe rritjen e çmimeve.
Në ditën e dytë të samitit në Bruksel, udhëheqësit e 27 vendeve pritet që fajin për rritjen e inflacionit dhe rritjen e dobësuar ekonomike në mbarë globin t’ia hedhin drejtpërdrejt luftës së Rusisë në Ukrainë, që filloi saktësisht para katër muajve.
Ata gjithashtu do t’i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të paraqesë zgjidhje për furnizimin me energji si kundërpërgjigje ndaj kufizimit të furnizimit me gaz nga Rusia.
“Duhet t’i përshtatemi realitetit të ri. Është vetëm çështje kohe para se rusët t’i ndalin të gjitha dërgesat e gazit”, tha një zyrtar i BE-së para bisedimeve.
Inflacioni në 19 shtetet që e përdorin euron, ka shkuar në nivelin më të lartë, në mbi 8 për qind, dhe Komisioni Evropian e ka ulur parashikimin për rritje ekonomike në 2.7 për qind këtë vit, nga 4 për qind, sa kishte parashikuar para fillimit të luftës.
Komisioni tha të enjten se 12 shtete të BE-së janë prekur nga zvogëlimi i furnizimit me gaz nga Rusia. Ndonëse ato kanë mundur që ta plotësojnë mungesën deri më tani, po përgatiten në rast të ndaljes së mëtejme të gazit nga Moska, që është furnizuesja kryesore e Evropës.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e BE-së kërkuan nga Komisioni Evropian që, në bashkëpunim me vende të tjera, të eksplorojë mënyra për t’i vënë nën kontroll çmimet e larta të energjisë, përfshirë përmes vendosjes së kufirit të çmimit të importit.
Sidoqoftë, Komisioni Evropian nuk ka paraqitur ndonjë propozim deri më tani. Kjo çështje është shumë e ndërlikuar dhe përçarëse, sepse disa vende kanë frikë se vendosja e kufirit të çmimeve mund ta pengojë tregun dhe ta përkeqësojë edhe më shumë situatën e vështirë./Nacionale