Rutte thotë se kritikat e Zelenskyt për Scholzin janë të padrejta
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se i konsideron kritikat nganjëherë të ashpra të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndaj kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si të pajustifikueshme, raporton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Edhe pse Gjermania ka qenë aleate jetike e Ukrainës, ngurrimi i saj për t’i dhuruar raketa me rreze të gjatë “Taurus” ka qenë burim zemërimi në Kiev, i cili po ballafaqohet me një armik të armatosur me varg më të fuqishëm të armatimit me rreze të gjatë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë shpesh i kam thënë Zelenskyt se duhet të ndalet së kritikuari Olaf Scholzin, sepse mendoj që kjo është e padrejtë” – citohet të ketë thënë Rutte në një intervistë, sipas agjencisë DPA.
Ish-kryeministri holandez gjithashtu tha se, ndryshe nga Scholzi, do ta furnizonte Ukrainën me raketa “Taurus” dhe nuk do të vendoste kufizime për përdorimin e tyre.
“Në përgjithësi, ne e dimë se kapacitete të tilla janë shumë të rëndësishme për Ukrainën” – tha Rutte, duke shtuar se nuk i përket atij që të vendosë se çfarë duhet t’i ofrojnë aleatët Kievit.
Pas një bisede telefonike mes Scholzit e presidentit rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar, Zelensky tha se ky veprim e kishte hapur kutinë e Pandorës dhe i minonte përpjekjet për ta izoluar kreun e Kremlinit dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me “paqe të drejtë”.