Rutte: Të ndalemi së rënkuari për Trumpin, duhet të shpenzojmë më shumë në mbrojtje
Kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, kandidat favorit për t’u bërë sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, tha të shtunën se Evropa duhet të ndalojë së rënkuari për ish-presidentin amerikan, Donald Trump, dhe, në vend të kësaj, të përqendrohet në atë që mund ta bëjë për Ukrainën.
Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë ka nxitur zemërim në Evropë, duke thënë se nëse kthehet në pushtet në nëntor, nuk do t’i mbronte ato vende të NATO-s që nuk shpenzojnë sa duhet në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne duhet të ndalemi së rënkuari e ankuari për Trumpin” – tha Rutte në Konferencën e Mynihut për Siguri.
“U përket amerikanëve. Unë nuk jam amerikan, nuk mund të votoj në ShBA. Ne duhet të punojmë me këdo që është në skenën e vallëzimit” – shtoi ai, duke e nënkuptuar pushtetin në Uashington.
Sipas tij, Evropa në secilin rast duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtje dhe duhet ta shtojë prodhimin e municionit, jo vetëm për shkak të mundësisë që Trumpi të bëhet prapë president i ShBA-së.
Më tej, Rutte vlerësoi se Evropa duhet ta rrisë përkrahjen e saj për Ukrainën, sepse është në interesat e vetë kontinentit.
Zyrtari holandez, i cili befasisht njoftoi në korrik për largimin nga politika e vendit, ka thënë se nuk e di nëse po konsiderohet si favorit për ta udhëhequr NATO-n dhe se nuk do të fillojë fushatë personave për arritjen e këtij qëllimi.
“Dhe tërë ankesat e rënkimet për Trumpin. I dëgjoj ato vazhdimisht gjatë ditëve të fundit. Le ta ndalim këtë” – tha Rutte, duke shtuar se pas bisedave me politikanë amerikanë në Mynih, ai ishte “optimist me maturi” që një pako amerikane e ndihmave ushtarake, që ka ngecur, në fund do të miratohet.
Sekretari i tanishëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili është në këtë pozitë nga viti 2014, pritet të largohet në tetor të këtij viti.
Stoltenbergut iu zgjat mandati për të katërtën herë në korrik, pasi 31 shtetet anëtare vendosën që të mbanin një udhëheqës me përvojë e të mos mundoheshin për t’u pajtuar për një pasardhës të tij në kohën e pushtimit rus të Ukrainës.