Rutte bën thirrje për shpenzime shumë më të larta në mbrojtje për t’iu kundërvënë Rusisë - NACIONALE

Rutte bën thirrje për shpenzime shumë më të larta në mbrojtje për t’iu kundërvënë Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e paralajmëroi aleancën e udhëhequr nga ShBA-ja të enjten se ajo nuk është e gatshme për rreziqet me të cilat do të ballafaqohet nga Rusia në vitet e ardhshme dhe bëri thirrje për kalim te mendësia e kohës së luftës – me shpenzime shumë më të larta në mbrojtje.

Rutte tha se shtetet anëtare të NATO-s kishin shpenzuar më shumë se 3 për qind të prodhimit vendës bruto në mbrojtje gjatë Luftës së Ftohtë dhe se shpenzimet në të ardhmen do të duhet të jenë shumë më të larta se caku i tanishëm i aleancës prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto.

“Rusia është duke u përgatitur për ballafaqim afatgjatë, me Ukrainën dhe me ne” – tha Rutten ë një fjalim të mbajtur në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

“Ne nuk jemi gati për atë që do të dalë në rrugën tonë brenda katër deri pesë vjetëve” – tha më tej ish-kryeministri i Holandës.

“Është koha që të kalojmë në mendësinë e kohës së luftës dhe t’u japim një turbo shpenzimeve tona të mbrojtjes dhe prodhimit të mbrojtjes” – porositi zyrtari i lartë.

Kremlini para disa ditëve tha se lufta në Ukrainë nuk do të ndalet derisa të arrihen të gjitha qëllimet që janë caktuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, qoftë përmes veprimeve ushtarake, qoftë përmes bisedimeve.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është zotuar se do t’i japë fund këtij konflikti porsa të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, por nuk ka treguar se si do ta arrijë këtë.

Lajme të ngjashme