Rusisë s’i pëlqejnë propozimet evropiane rreth garancive të sigurisë për Ukrainën
Rusia i sheh negativisht propozimet evropiane rreth garancive të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë kurrfarë pranie të trupave të NATO-s në territorin e vendit fqinj, tha Kremlini të mërkurën.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i vlerësoi përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i quajtur “shumë të rëndësishme” dhe tha se Moska shpreson se ato do të vazhdojnë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme të paqes, aleatët evropianë të Ukrainës po punojnë për të hartuar një grup të garancive për Ukrainën që do ta mbronin vendin nga një sulm i mundshëm në të ardhmen nga Rusia.
Megjithatë, Peskovi tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që Rusia është përpjekur ta parandalojë që nga fillimi, sipas tij.
“Në të vërtetë, krejt në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe infiltrimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që do të mund të përmendej potencialisht në mesin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit që u ngritën” – tha zëdhënësi i Kremlinit.
“Pra, ne kemi qëndrim negativ ndaj këtyre diskutimeve” – paralajmëroi Peskovi.
Të gjitha palët pajtohen se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e marrëveshjes së paqes, por kanë mospajtime themelore për atë se çfarë forme duhet të kenë ato./Nacionale