Rusia, ukrainasve: Dorëzojeni fabrikën në Mariupol, nëse doni të jetoni
Rusia të martën u bëri thirrje forcave ukrainase dhe luftëtarëve të huaj, që janë strehuar në fabrikën “Azovstal” në Mariupol, që t’i ulin armët deri pasdite sipas kohës lokale në Moskë, nëse dëshirojnë të jetojnë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të martën lëshoi një deklaratë me të cilën u bëri thirrje forcave ukrainase dhe luftëtarëve të huaj brenda fabrikës që të dorëzohen.
“Të gjithëve që i ulin armët, u garantohet që të mbeten gjallë”, thuhet në deklaratë. Trupave u bëhet thirrje që të tërhiqen mes orës 14:00 dhe 16:00 “pa përjashtim, pa ndonjë armë apo municion”.
Më herët, forcat separatiste të përkrahura nga Rusia thanë se ato po mundohen që t’ia mësyjnë fabrikës “Azovstal” dhe ta marrin kontrollin sa më shpejt që është e mundshme.
Mariupoli, qytet i rrethuar qe disa javë nga forcat ruse, është përballur me luftimet më të ashpra dhe shkatërrimin më masiv që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Autoritetet ukrainase thanë të hënën se jo më pak se 1.000 civilë janë duke u fshehur në hapësirat nëntokësore të fabrikës “Azovstal”, duke shtuar se forcat ruse po hedhin bomba të rënda mbi të.