Rusia thotë se Ukraina ka hedhur raketa amerikane ATACMS në rajonin Briansk
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se Ukraina ka hedhur raketa ATACMS të prodhimit amerikan në rajonin rus të Brianskut, pasi administrata e presidentit Joe Biden ia dha Kievit dritën e gjelbër që t’i përdorë armët me rreze të gjatë për të vënë në shënjestër caqe brenda Rusisë, raporton televizioni CNN.
Sipas kësaj ministrie, në orën 3 e 25 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale, Ukraina hodhi gjashtë raketa balistike drejt një objekti në Briansk.
“Sipas të dhënave të konfirmuara, u përdorën raketa operacionale taktike të prodhimit amerikan, ATACMS” – tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan pesë prej raketave dhe një tjetër u dëmtua. Copëza nga raketa e dëmtuar ranë në territorin e një objekti ushtarak, duke shkaktuar një zjarr që tashmë është shuar. Nuk pati viktima ose dëme.
Ky sulm do ta shënonte herën e parë që Ukraina e përdor sistemin amerikan të armëve me rreze të gjatë për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë. Kievi nuk ka reaguar menjëherë për këtë raportim.