Rusia thotë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit është ilegal dhe i paprovokuar - NACIONALE

Rusia thotë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit është ilegal dhe i paprovokuar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të premten se sulmet izraelite ndaj Iranit dhe objekteve të tij bërthamore ishin të paprovokuara dhe në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Sulmet e paprovokuara ushtarake kundër një shteti sovran anëtar i OKB-së, qytetarëve të tij, qyteteve paqësore dhe infrastrukturës së energjisë bërthamore janë kategorikisht të papranueshme” – tha Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli kreu sulme ushtarake kundër Iranit të premten, duke thënë se ka vënë në shënjestër objekte bërthamore, fabrika të raketave balistike dhe komandantë ushtarakë gjatë fillimit të një operacioni për t’ia parandaluar Teheranit prodhimin e një arme bërthamore.

Rusia dhe Irani kanë marrëdhënie të mira diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.

Të mërkurën, Rusia tha se ishte e gatshme për ta larguar uraniumin e pasuruar në shkallë të lartë nga Irani dhe ta shndërrojë atë në karburant për reaktorë civilë si mënyrë e mundshme për t’i ngushtuar dallimet mes Teheranit dhe Uashingtonit për programin bërthamor të Iranit.

Shtetet e Bashkuara po mundoheshin që të arrinin një marrëveshje me Iranin për t’ia kufizuar Teheranit aktivitetet bërthamore, por presidenti amerikan, Donald Trump, tha mërkurën se tani kishte më pak besim se para disa muajve se Irani do të pajtohet për ta ndërprerë pasurimin e uraniumit.

Javën e kaluar, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë Trumpit në një bisedë telefonike se ai ishte i gatshëm që ta shfrytëzojë marrëdhënien e ngushtë të Rusisë me Iranin për ta ndihmuar avancimin e këtyre bisedimeve./Nacionale

Lajme të ngjashme