Rusia thotë se po krijon një “rrip sigurie” në rajonin Sumy të Ukrainës - NACIONALE

Rusia thotë se po krijon një “rrip sigurie” në rajonin Sumy të Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të premten se forcat e saj po vazhdonin të krijonin një “rrip sigurie” në zonat kufitare të Sumyt të Ukrainës, pasi i kishin dëbuar trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut, në perëndim të Rusisë.

Ukraina thotë se forcat e saj ende kanë terren nën kontroll në Kursk, ku në gushtin e vitit të kaluar nisën një ofensivë të befasishme në përpjekje për t’i shpërqendruar trupat ruse dhe për të fituar një levë në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen, por është e shqetësuar edhe për një avancim të mundshëm të rusëve në Sumy, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në mars se Rusia duhet të krijojë një zonë neutrale në rajonin e Sumyt për t’u mbrojtur kundër ndonjë ofensive të mundshme në të ardhmen nga forcat ukrainase.

“Njësitet e grupit verior e kanë kompletuar shpartallimin e formacioneve të Forcave të Armatosura të Ukrainës në rajonin e Kurskut” – tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

“Krijimi i një rripi të sigurisë në zonat kufitare të rajonit Sumy të Ukrainës vazhdon” – thuhet më tej në deklaratën e ministrisë ruse.

Një bloger rus i luftës me mbi 1,2 milion ndjekës tha se Rusia ishte duke zhvilluar një ofensivë nga Zhuravka deri në Bilovody, dy fshatra në Sumy, afër kufirit me Rusinë.

“Parashutistët tanë, pasi e kishin thyer rezistencën kokëfortë të armikut, avancuan në zonën e Loknya-s dhe në rripat kufitarë pyjorë” në rajonin Sumy, shkroi të premten ky bloger.

Një komandant i një brigade ruse të parashutistëve sulmues i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, se trupat ukrainase që po luftojnë në Sumy janë të demoralizuara.

“Ne e kemi çorganizuar sistemin e tyre të komandës” – citohet të ketë thënë ai. Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte këto raportime.

Guvernatori i rajonit Sumy, Oleh Hryhorov, tha të martën se Rusia ishte duke pasur pak sukses në krijimin e një zone neutrale, por pranoi se katër fshatra kufitare ishin në “zonën e hirtë” për shkak të sulmeve ruse./Nacionale

Lajme të ngjashme