Rusia thotë se po i spraps forcat ukrainase dhe do të formojë dy ushtri të reja - NACIONALE

Rusia thotë se po i spraps forcat ukrainase dhe do të formojë dy ushtri të reja

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të mërkurën se ushtarët e saj po i sprapsin forcat ukrainase dhe se Moska do ta fuqizojë ushtrinë e vet përmes shtimit të dy ushtrive dhe 30 formacioneve të reja nga fundi i këtij viti.

“Grupet e trupave ruse vazhdojnë që ta dëbojnë armikun nga pozicionet e veta. Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e tyre janë tepër të shqetësuar për suksesin e Forcave të Armatosura Ruse” – tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, raporton agjencia “Reuters”.

“Grupimi i kombinuar i trupave do të vazhdojnë që t’i forcojë sukseset e arritura dhe ta rrisë ndikimin e zjarrit të vërtetë ndaj caqeve të armikut” – shtoi ai.

Kryespiunët perëndimorë thonë se lufta mund të jetë në një pikë kthese, pasi Kievi ka nevojë për më shumë armë nga aleatët perëndimorë për të shmangur humbje të reja në fushën e betejës. Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të martën se mbijetesa e Ukrainës është në rrezik.

Nga fillimi i luftës më 2022, Rusia ka marrë nën kontroll 65 mijë kilometra katrorë të territorit ukrainas, sipas projektit “Russia Matters” të Shkollës Kennedy të Harvardit.

Para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, Ukraina i shtoi sulmet përmes bombardimit të rajoneve kufitare ruse, duke sulmuar rafineri nafte e duke përdorur forca prokurë në përpjekje për ta thyer kufirin.

Shoigu tha se siguria është përforcuar në ndërtesën e qeverisë ruse dhe në objekte të tjera, ndërsa janë fuqizuar edhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas tij, Rusia rrëzoi 419 dronë e 67 raketa ukrainase gjatë zgjedhjeve dhe iu shkaktoi humbje të rënda prokurave të Ukrainës. Agjencia “Reuters” nuk mund t’i vërtetonte këto shifra.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do ta ndëshkojë Ukrainën për këto sulme dhe se ai mund të ndërtojë një zonë neutrale si mbrojtje kundër sulmeve me artilerinë e ofruar nga Perëndimi.

Lajme të ngjashme