Rusia thotë se po e pret përgjigjen e Ukrainës për armëpushimin e majit dhe bisedimet direkte - NACIONALE

Rusia thotë se po e pret përgjigjen e Ukrainës për armëpushimin e majit dhe bisedimet direkte

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të martën se Ukraina nuk u është përgjigjur shumë ofertave të presidentit rus, Vladimir Putin, për fillimin e bisedimeve të paqes dhe se është e paqartë nëse Kievi do të bëhet pjesë e armëpushimit treditor që presidenti rus e ka njoftuar për muajin e ardhshëm.

“Ishte presidenti Putin ai që në mënyrë të përsëritur tha se Rusia është e gatshme, pa asnjë parakusht, për fillimin e procesit të negociatave. Ne nuk kemi dëgjuar një përgjigje nga regjimi i Kievit deri më tani” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Putini të hënën shpalli armëpushim treditor në luftën me Ukrainën nga data 8 deri më 10 maj, kur Rusia planifikon festë të madhe për ta shënuar 80-vjetorin e fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Ukraina, si kundërpërgjigje pyeti pse Moska nuk u pajtua me thirrjen e Kievit për një armëpushim që do të zgjaste të paktën 30 ditë dhe do të fillonte menjëherë.

“Ne e çmojmë jetën e njerëzve e jo paradat” – tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se është “shumë vështirë që të kuptohet” nëse Ukraina synon t’i bashkohet armëpushimit treditor.

Lajme të ngjashme