Rusia thotë se mori nën kontroll pesë fshatra në Kharkiv e një në Donetsk - NACIONALE

Rusia thotë se mori nën kontroll pesë fshatra në Kharkiv e një në Donetsk

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të shtunën se forcat e saj kishin marrë nën kontroll pesë fshatra kufitare në rajonin Kharkiv të Ukrainës, ku të premten nisën një ofensivë, duke e shfrytëzuar përparësinë në rritje në fushën e betejës në lindje të Ukrainës.

Në konferencën për gazetarë të shtunën, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse i morën nën kontroll fshatrat Pletenivka, Ohirtseve, Borysivka, Pylna dhe Strilechna, të cilat shtrihen drejtpërdrejt në kufirin me Rusinë, raporton agjencia “Reuters”.

Më tej, kjo ministri tha se trupat ruse e kanë marrë nën kontroll edhe fshatin Keramik të rajonit Donetsk, ku Moska ka shënuar përparime të ngadalshme por të qëndrueshme nga shkurti, kur e kishte marrë nën kontroll bastionin Avdivka.

Zyrtarë ukrainas thanë të premten se Rusia kishte nisur një ofensivë të re matanë kufirit në rajonin Kharkiv, të përqendruar përreth qytetit me të njëjtin emër, që është i dyti më i madhi në Ukrainë.

Rusia i vazhdoi sulmet në rajonin e Kharkivit të shtunën dhe po mundohej që të përparonte më tej, tha guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov.

Forcat ruse fillimisht e kishin sulmuar rajonin e Kharkivit në shkurt të vitit 2022, por ishin dëbuar nga pjesa më e madhe e provincës përmes një sulmi ukrainas në shtator të atij viti.

Rajoni fqinj rus, Belgorod, nga ajo kohë është ballafaquar me sulme të rregullta ukrainase me dronë e artileri.

Lajme të ngjashme