Rusia thotë se ka vënë në gjendje lufte raketa ndërkontinentale “Sarmat” - mund të bartë 10 koka bërthamore
Drejtori i agjencisë ruse të hapësirës, “Roscosmos”, tha të premten se raketa ndërkontinentale të tipit “Sarmat”, të cilat mund të bartin dhjetë ose më shumë koka bërthamore, janë vënë në gjendje të gatishmërisë luftarake, sipas agjencisë ruse të lajmeve, RIA.
Në qershor, presidenti rus, Vladimir Putin, kishte thënë se raketat “Sarmat” do të dislokoheshin së shpejti për gatishmëri luftarake, përcjell “Al Arabiya”.
Vitin e kaluar, Rusia e testoi raketën “Sarmat”, për të cilën Putini tha se do t’u jepte armiqve diçka për të cilën do të mendonin.
“Kompleksi i ri i ka karakteristikat më të larta taktike e teknike dhe mund t’i shmangë të gjitha mjetet moderne të mbrojtjes antiraketore. Nuk ka analogji në botë dhe nuk do të kalojë shumë kohë që të vijë”- kishte thënë Putini.
“Kjo armë vërtet unike do ta forcojë potencialin luftarak të forcave tona të armatosura, do ta garantojë në mënyrë të besueshme sigurinë nga rreziqet e jashtme dhe do të ofrojë ushqim për mendime për ata që, në të nxehtit e retorikës agresive, mundohen që ta kërcënojnë vendin tonë”- kishte shtuar ai.
Rusia disa herë ka paralajmëruar se është e gatshme që t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta mbrojtur sovranitetin e saj, përfshirë arsenalin strategjik, duke iu referuar armëve bërthamore.
Zyrtarë të lartë perëndimorë e kanë dënuar retorikën kërcënuese të Rusisë.
