Rusia thotë se ka rimarrë nën kontroll rreth 10 vendbanime në Kursk - NACIONALE

Rusia thotë se ka rimarrë nën kontroll rreth 10 vendbanime në Kursk

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse kanë filluar një kundërsulm domethënës kundër trupave ukrainase që u futën në territorin e Rusisë muajin e kaluar dhe kanë rikthyer nën kontroll një pjesë të territorit, thanë një komandant i lartë rus dhe blogerët pro-rusë të luftës.

Gjeneral Major Apti Alaudinov, që i komandon forcat special Akhmat të Çeçenisë, të cilat janë duke luftuar në Kursk, tha se forcat ruse e kishin rikthyer kontrollin në rreth 10 vendbanime në Kursk, raportoi agjencia TASS, përcjell agjencia “Reuters”.

“Situata është e mirë për ne” – tha Alaudinovi, që gjithashtu është nëndrejtor i departamentit ushtarako-politik në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, duke shtuar se forcat ruse kishin shkuar në ofensivë.

“Gjithsej rreth 10 vendbanime në rajonin e Kurskut janë çliruar” – tha komandanti rus.

Agjencia “Reuters” nuk arriti t’i vërtetonte raportimet për fushën e betejës për shkak të kufizimeve në raportim në të dyja anët e luftës. Në raportet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë u dhanë pak informacione. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha javën e kaluar se forcat e vendit të tij kishin nën kontroll 100 vendbanime në rajonin e Kurskut, në sipërfaqe prej më shumë se 1.300 kilometrash katrorë.

Yuri Podolyaka, bloger ushtarak pro-rus, dhe dy blogerë të tjerë me ndikim, Rybar dhe “Dy Majorët” – thanë se forcat ruse kishin filluar një kundërsulm domethënës në Kursk.

“Në rajonin e Kurskut, ushtria ruse nisi veprime të kundërsulmit në krahun perëndimor të çarjes së armikut, duke e zvogëluar zonën ukrainase të kontrollit afër kufirit shtetëror” – thuhet në blogun “Dy Majorët”.

Podolyaka tha se forcat ruse kishin marrë nën kontroll disa fshatra në perëndim të pjesës ruse që ishte pushtuar nga Ukraina, duke i shtyrë forcat ukrainase në lindje të Lumit Malaya Loknya./Nacionale

Lajme të ngjashme