Rusia thotë se ka marrë nën kontroll dy fshatra në Kursk
Rusia ka marrë dy fshatra në rajonin perëndimor rus, Kursk, ka thënë një komandant i lartë, përderisa forcat ruse po avancojnë kundër mijëra trupave ukrainase që e kishin kaluar kufirin muajin e kaluar.
Më 6 gusht, Ukraina e nisi sulmin më të madh të huaj ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e thyer kufirin e duke depërtuar në rajonin Kursk përmes mbështetjes me shumë dronë e armatim të rëndë, përfshirë armë të dhuruara nga Perëndimi, raporton agjencia “Reuters”.
Gjeneral Major Apti Alaudinov, komandant i forcave special Akhmat të Çeçenisë dhe nëndrejtor i departamentit ushtarako-politik në Ministrinë e Mbrojtjes, tha se forcat ruse i kishin marrë nën kontroll fshatrat Nikolayevo-Darino dhe Darino.
Këto fshatra shtrihen rreth 15 kilometra nga vija e frontit që ishte vendosur nga forcat ukrainase në gusht dhe u japin forcave ruse një pozicion nga i cili mund ta sulmojnë Sverdlikovon, që ukrainasit kanë qenë duke e shfrytëzuar si qendër logjistike.
“Tërë fronti ynë ka lëvizur përpara” – tha Alaudinovi, duke shtuar se forcat ruse po përparonin edhe në lindje të Ukrainës.
Rusia, që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, nisi një kundërofensivë të gjerë kundër forcave ukrainase më herët këtë muaj nga ana perëndimore e territorit të kapur nga forcat e Kievit.
Ukraina ka qenë duke u munduar për ta kaluar kufirin e Rusisë në një pjesë tjetër në lindje të forcave ruse që po përparojnë në përpjekje për t’i devijuar forcat e armikut nga ofensiva kryesore atje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.
Rusia, që ka nën kontroll rreth 18 për qind të territorit të Ukrainës, ka qenë duke përparuar në pjesën lindore të Ukrainës dhe të martën e mori nën kontroll qytezën Ukrainsk./Nacionale