Rusia thotë se ka kapur edhe dy vendbanime në lindje të Ukrainës - NACIONALE

Rusia thotë se ka kapur edhe dy vendbanime në lindje të Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trupat ruse, që po e shtyjnë përpara avancimin e tyre të ngadalshëm në pjesën lindore të Ukrainës, e morën kontrollin e dy vendbanimeve në rajonin e Donetskut, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Në raportin e kësaj ministrie thuhet se forcat ruse i kapën fshatrat Terny, i cili ndodhet afër qytezës Siversk, njëra nga pikat e fokusit të fushatës ruse nëpër rajonin e Donetskut, dhe Neskuchne, më në jug, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, në një raport të mbrëmjes së vonë, nuk tha asgjë rreth ndryshimit të kontrollit të fshatit Terny, por e përmendi fshatin si njërin prej tetëve që ishin nën sulm në 17 përleshje të armatosura në atë zonë. Pesë përleshje u tha se po vazhdonin në mbrëmjen e vonë.

Në raportin e Shtabit të Përgjithshëm u identifikua edhe fshati Neskuchne si njëri nga pesë fshatrat ku forcat ukrainase i kishin sprapsur sulmet ruse.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet e asnjërës palë rreth gjendjes në fushën e betejës.

Blogu i popullarizuar ukrainas, “DeepState”, i cili përdor materiale me burime të hapura për ta caktuar pozicionin e trupave ukrainase, tha se forcat ruse kishin shënuar fitore territoriale përreth fshatit Neskuchne.

Ushtria ruse ka qenë duke avancuar me ritmin më të shpejtë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, duke e njoftuar kapjen e një liste të gjatë fshatrash në raportet ditore nga vija e frontit.

Javën e kaluar, ushtria ruse e njoftoi kapjen e Kurakhove-s, qendër kyçe logjistike që shihet si shtyllë për avancim drejt qytezave të tjera.

Në njoftimet e ditëve të fundit thuhet se forcat ruse ndodhen pak kilometra larg Pokrovskut, qendër tjetër e transportit./Nacionale

Lajme të ngjashme