Rusia thotë se ka kapur edhe dy fshatra në rajonin Donetsk të Ukrainës
Forcat ruse kanë marrë nën kontroll dy vendbanime të tjera në vijën e frontit në zonat e rajonit Donetsk të Ukrainës, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Zyrtarët ukrainas nuk e adresuan njoftimin rus në lidhje me këto dy fshatra, por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se operacioni i kundërsulmit të forcave ukrainase afër qytezës Dobropillia, e cila gjithashtu ndodhet në rajonin e Donetskut, ka shënuar përparim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia “Reuters” nuk mund t’i vërtetonte raportimet e asnjërës palë për gjendjen në fushën e betejës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj tani i kanë nën kontroll fshatrat Shandryholove dhe Zarichne, të cilat shtrihen në verilindje të qytetit Sloviansk – njëra nga qendrat që Moska shpreson t’i kapë gjatë avancimit drejt perëndimit.
Më vonë, kjo ministri lëshoi një deklaratë tjetër duke thënë se ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, e kishte përgëzuar njësitin për veprimet “e guximshme dhe vendimtare” që çuan në kapjen e Zarichne-s, i identifikuar me emrin e periudhës sovjetike, Kirovsk.
Në pamje të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendohet se shfaqeshin trupat ruse duke lëvizur nga ndërtesa në ndërtesë dhe duke mbajtur lart një flamur rus, përderisa po e merrnin nën kontroll fshatin Shandryholove.
Forcat ruse kanë qenë duke avancuar ngadalë përgjatë vijës së frontit në pjesët lindore e jugore të Ukrainës, duke njoftuar kapje të fshatrave të reja gati përditë. Ushtria ruse nuk publikon numra të ushtarëve që i vriten, por analistët ushtarak ukrainas e perëndimorë thonë se këto avancime i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë në njerëz dhe pajisje.
Ushtria ukrainase nuk e përmendi kapjen e fshatit Zarichne nga armiku, por në një raport të gjatë medial të së shtunës u tha se vendbanimi ishte nën kontrollin ukrainas, edhe pse ushtarët rusë kishin hyrë në disa pjesë të tij./Nacionale