Rusia thotë se ka goditur një fabrikë ushtarake në Kiev
Sulmet ruse kanë vënë në shënjestër një fabrikë ushtarake në kryeqytetin ukrainas, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, të cituar nga agjencia TASS.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, tha se 16 caqe të armikut janë shkatërruar me raketa me saktësi t lartë, përfshirë pajisje, depo dhe baza për vendosjen e armëve.
Ai shtoi se një qendër për riparimin e pajisjeve ushtarake në Mykolaiv, në jug të Ukrainës, gjithashtu është goditur.
Zyrtarët ukrainas më herët raportuan se disa shpërthime kanë ndodhur në kryeqytetin Kiev dhe në qytetin perëndimor, Lviv. Nuk dihet për numrin e mundshëm të viktimave.
Në rajonin lindor, Luhansk, guvernatori rajonal tha se një person është vrarë dhe tre të tjerë janë lënduar nga sulmet.
Në pjesën qendrore të Ukrainës, në Poltava, një person u vra dhe një tjetër u plagos, pasi një fshat në atë rajon u sulmua.