Rusia thotë se do t’u kundërpërgjigjet sulmeve të Ukrainës kur ta shohë të përshtatshme
Rusia do t’u kundërpërgjigjet sulmeve të fundit të Ukrainës si dhe kur ta shohë të përshtatshme, tha Kremlini të enjten, duke e akuzuar Kievin për terrorizëm shtetëror dhe duke e konfirmuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se homologu rus, Vladimir Putin, i kishte thënë atij se Moska është e detyruar që të hakmerret.
Ukraina përdori dronë për të goditur aeroplanë bombardues të Rusisë në baza ajrore në Siberi dhe në veriun e largët fundjavën e kaluar, ndërsa Rusia e akuzoi Kievin edhe për hedhjen në erë të urave në jug të vendit, duke vrarë shtatë persona, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në konferencën e tij të përditshme me gazetarë i vuri në pah komentet e Putinit të bëra një ditë më parë për sulmet ndaj hekurudhave.
“Presidenti e përshkroi regjimin e Kievit si regjim terrorist, sepse ishte udhëheqësia e regjimit që me vetëdije e dha urdhrin, komandën, urdhrin për të hedhur në erë një tren udhëtarësh. Ky nuk është gjë tjetër pos terrorizëm në nivel shtetëror. Kjo është një deklaratë e rëndësishme nga presidenti” – tha Peskovi.
Rusia ende nuk ka paraqitur dëshmi që udhëheqësit ukrainas kanë dhënë urdhër për sulme në hekurudha dhe Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për një gjë të tillë.
Sulmet ukrainase brenda Rusisë dhe sulmet ajrore e avancimet ruse në fushën e betejës e kanë përshkallëzuar luftën që nisi në shkurtin e vitit 2022, duke e dëmtuar perspektivën për bisedimet e paqes që dy palët i rinisën në Turqi muajin e kaluar.
Megjithatë, Peskovi e përmendi faktin se Putini e mbështeti pikëpamjen e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në një takim të mërkurën se kontaktet e nivelit punues me Ukrainën duhet të vazhdojnë./Nacionale