Rusia thotë se do t’i kundërpërgjigjet sulmit të fundit ukrainas me raketa ATACMS - NACIONALE

Rusia thotë se do t’i kundërpërgjigjet sulmit të fundit ukrainas me raketa ATACMS

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia pa dyshim se do t’i kundërpërgjigjet përdorimit të raketave amerikane, ATACMS, nga Ukraina për të sulmuar territor rus, tha Kremlini të enjten.

Rusia tha të mërkurën se Ukraina kishte goditur një fushë ajrore ushtarake në Detin e Azovit me gjashtë raketa balistike të prodhimit amerikan, ATACMS, veprim që mund ta nxisë Moskën për të hedhur një raketë tjetër hipersonike eksperimentale me rreze të mesme drejt Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se “sulmi nga armët perëndimore me rreze të gjatë nuk do të kalojë pa përgjigje dhe do të ndërmerren masat e duhura”. Është e paqartë se si do të kundërpërgjigjet saktësisht Rusia.

“Do të doja që ta risjell ndër mend deklaratën absolutisht të qartë e të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes të Federatës Ruse, bërë dje, ku u deklarua qartazi se një kundërpërgjigje do të pasojë” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Kundërpërgjigjja do të pasojë në një mënyrë që vlerësohet si e duhur, por ajo padyshim se do të pasojë” – shtoi zëdhënësi rus.

Rusia hodhi një raketë të re balistike hipersonike të njohur si “Oreshnik” drejt Ukrainës më 21 nëntor në atë që presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ishte kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të forcave ukrainase me raketa amerikane e britanike ndaj Rusisë.

Lajme të ngjashme