Rusia thotë se baza e re amerikane në Poloni e ngre rrezikun e përgjithshëm bërthamor
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se një bazë e re mbrojtëse amerikane me raketa balistike në pjesën veriore të Polonisë do të çojë në rritje të nivelit të përgjithshëm të rrezikut bërthamor dhe është në listën ruse të caqeve për shkatërrim të mundshëm, nëse është e nevojshme.
Baza e mbrojtjes ajrore, e ndodhur në qytezën Redzikowo, afër bregdetit të Baltikut, pjesë e një mburoje më të gjerë raketore të NATO-s, u hap më 13 nëntor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ky është një hap tjetër i hapur provokues në një varg të veprimeve thellësisht destabilizuese nga amerikanët dhe aleatët e tyre në aleancën veriatlantike në sferën strategjike” – tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
“Kjo çon te minimi i stabilitetit strategjik, duke i rritur rreziqet strategjike dhe, si rezultat, në rritje të nivelit të përgjithshëm të rrezikut bërthamor” – shtoi ajo.
Baza amerikane në Rezikoëo është pjesë e një mburoje më të gjerë të NATO-s, e quajtur “Aegis Ashore”, për të cilën aleanca mund të thotë se mund të pengojë raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.
“Duke i pasur parasysh natyrën dhe nivelin e kërcënimeve që paraqiten nga objekte të tilla ushtarake perëndimore, baza raketore e mbrojtjes në Poloni për një kohë të gjatë është shtuar në listën e caqeve me prioritet për shkatërrim të mundshëm, që, nëse është e nevojshme, mund të ekzekutohet me një gamë të gjerë të armëve të avancuara” – tha Zakharova.
Mburoja raketore e NATO-s përfshin qendra në Poloni, Rumania si dhe shkatërrues detarë amerikanë në një bazë detare në Spanjë si dhe një radar për paralajmërim të hershëm në Turqi, sipas NATO-s.