Rusia thotë se agjenda s’është “fare gati” për një takim mes Putinit e Zelenskyt
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se nuk ka agjendë për një samit të mundshëm mes presidentëve Vladimir Putin të Rusisë e Volodymyr Zelensky të Ukrainës, duke e akuzuar këtë të fundit se po i thotë “jo gjithçkaje”.
Duke folur në televizionin NBC, kryediplomati rust ha se Putini kishte bërë të qartë se është i gatshëm që të takohet me homologun ukrainas për të diskutuar një marrëveshje të mundshme të paqes, nëse për një takim të tillë ekziston një agjendë e duhur, diçka që, sipas tij, tani për tani mungon, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Edhe Rusia, edhe Ukraina po mundohen që të dëshmojnë para presidentit amerikan, Donald Trump, se janë të gatshme që të arrinjë marrëveshje të paqes, diçka në të cilën kreu i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se dëshiron të ndërmjetësojë, ndërkohë e kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë sinqeriteti ose gatishmërie për të biseduar në mirëbesim.
“Putini është i gatshëm që të takohet me Zelenskyn, kur agjenda do të ishte e gatshme për një samit dhe kjo agjendë nuk është fare gati” – tha Lavrovi, duke shtuar se, rrjedhimisht, tani për tani nuk ka ndonjë takim të planifikuar mes dy presidentëve.
Sipas ministrit rus, vendi i tij ishte pajtuar që të tregojë fleksibilitet në një numër çështjesh të ngritura nga Trumpi në samitin e javës së kaluar mes ShBA-së e Rusisë, por e akuzoi Ukrainën se nuk e ka shfaqur fleksibilitetin e njëjtë në bisedime me presidentin amerikan dhe aleatët evropianë që pasuan në Uashington.
“Ai (Trumpi) qartë dha shenjë – ishte shumë e qartë për secilin që janë disa parime të cilat Uashingtoni beson se duhet të pranohen, përfshirë përjashtimi i hyrjes në NATO (për Ukrainën), përfshirë diskutimin e çështjeve territoriale, dhe Zelensky i tha jo gjithçkaje” – deklaroi Lavrovi./Nacionale