Rusia shpall gjendje emergjente në Voronezh pas një sulmi ukrainas me dron
Kryetari i qytetit jugor rus, Voronezh, shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme pas atij që zyrtarët thanë se ishte një sulm me dron i kryer nga Ukraina e nga i cili u dëmtuan disa ndërtesa e u lëndua një fëmijë.
Njerëzit nga të paktën një objekt banimi u evakuuan dhe u dërguan në një shkollë, pasi mbetjet e dronit shkaktuan një zjarr të vogël dhe i thyen dritaret, tha kryetari i qytetit, Vadim Kstenin, raporton agjencia “Reuters”.
Ai shtoi se u thyen edhe dritare në ndërtesa të tjera. “Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në qytet... do ta lejojë zbatimin e shpejtë të masave për t’i zëvendësuar ato”- tha Kstenini.
Guvernatori rajonal, Alexander Gusev, tha në rrjete sociale se një vajzë u lëndua, kur mbetjet e dronit ranë në banesën ku ndodhej ajo.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në rrjetin “Telegram” se kishte shkatërruar pesë dronë dhe kishte penguar tre të tjerë gjatë natës në qiellin mbi rajonin e Voronezhit, i cili kufizohet me Ukrainën. Qyteti Voronezh është qendra administrative e rajonit.
Kjo ministri shtoi se kishte penguar edhe katër dronë të tjerë në rajonin Belgorod.
Voronezhi ka më shumë se një milion banorë dhe shtrihet rreth 250 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina. Kievi i ka shtuar sulmet ajrore muajve të fundit për të cilat thotë se në shënjestër e kanë infrastrukturën ushtarake ruse për t’i minuar përpjekjet e luftës së Rusisë.
Rusia ka një bazë ajrore në qytetin Voronezh, ku ndodhen disa aeroplanë bombardues të tipit “Sukhoi Su-34”, sipas mediave ruse. Rusia shpesh i dislokon aeroplanët luftarakë gjatë sulmeve ajrore ndaj Ukrainës.
Mediumi rus “Shot” raportoi se të paktën 15 shpërthime u dëgjuan afër bazës ajrore dhe disa mbetje të dronëve ranë afër saj, në një ndërtesë banimi.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.