Rusia shpall armëpushim të shkurtër për ta shënuar fitoren në Luftën e Dytë Botërore
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të enjten se ka shpallur armëpushim në konfliktin me Ukrainën nga mesnata më 8 maj deri më 10 maj për ta shënuar përvjetorin e fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“Gjatë festimit të 81-vjetorit të fitores së popullit sovjetik në Luftën e Madhe Patriotike, nga mesnata më 8 maj deri më 10 maj, pala ruse do të shpallë armëpushim” – tha kjo ministri në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte njoftuar të hënën se do të zbatohej një armëpushim dyditor gjatë kësaj periudhe.
Në anën tjetër, edhe Ukraina ka shpallur një armëpushim të njëanshëm, por në data të tjera – 5 dhe 6 maj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte thënë se vendi i tij nuk kishte pranuar njoftim zyrtar nga Rusia në lidhje me ofertën për armëpushim të përbashkët.
Ai gjithashtu tha se “jeta njerëzore është në mënyrë të pakrahasueshme më e vlefshme se festimi i cilitdo përvjetor”.