Rusia raporton sulm kibernetik, Putini e shtyn fjalimin
Fjalimi i planifikuar i presidentit rus, Vladimir Putin, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut të premten është shtyrë për një orë për shkak të sulmeve kibernetike, njoftoi qeveria ruse.
“Fatkeqësisht, sot, për shkak të sulmeve masive ndaj sistemit të forumit, baza e akreditimit dhe pranimit është nxjerrë nga funksioni”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se specialistët janë duke punuar për ta rregulluar sistemin dhe se nevojitet ca kohë.
“Na nevojiten 30-40 minuta për ta kthyer bazën e të dhënave”, tha ai.
“Për shkak të kësaj, presidenti ka vendosur që ta shtyjë fjalimin e tij për një orë. Fjalimi nuk do të mbahet në orën 14:00, por në orën 15:00”, shtoi zëdhënësi rus.
Për më tepër, ai tha se Rusia është duke i përcjellë për së afërmi përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në BE.
“Kjo çështje e kërkon vëmendjen tonë të ngritur, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm për shpeshtimin e diskutimeve në Evropë për fuqizimin e elementit mbrojtës të BE-së”, tha ai.
“Janë disa transformime të ndryshme që po i vëzhgojmë në mënyrën më të kujdesshme”, shtoi zëdhënësi rus.
Sipas tij, qëllimi i “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë vazhdon të jetë shpëtimi dhe sigurimi i popullsisë në rajonin Donbas nga ato që i quajti “sulme barbare” nga forcat ukrainase.