Rusia publikon pamje duke djegur tanke e automjete ukrainase në territorin rus
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka publikuar pamje të sulmeve nga ajri ndaj tankeve e automjeteve të tjera të blinduara të forcave ukrainase brenda territorit rus. Këto pamje janë publikuar më pas edhe nga agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”.
Gazetarja e kësaj agjencie, Samya Kullab, raportoi nga Kievi. “Forcat ukrainase nisën një sulm të guximshëm ushtarak brenda rajonit rus, Kursk, javën e kaluar. Zyrtarët këtu kanë qenë gojëmbyllur për atë se cilat janë saktësisht qëllimet e operacionit dhe përderisa burimet ruse vazhdojnë që të raportojnë për përleshje luftarake dhe evakuime të vazhdueshme në atë territor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është referuar atij [operacioni] vetëm tërthorazi” – tha ajo.
“Rusia pati vështirësi për t’iu kundërpërgjigjur këtij operacioni në ditët fillestare. Ishte vetëm dita e gjashtë ose e shtatë, kur ne vërtet filluam të vërenim rezerva ruse duke u dislokuar dhe kundërsulme duke u nisur” – shtoi ajo.
Në pamjet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, një tank shihej duke lëvizur ngadalë nëpër një rrugë të asfaltuar. Tanku më pas goditet nga ajri dhe kaplohet nga flaka.
Në një pjesë tjetër të pamjeve, disa automjete shihen duke lëvizur në një terren rural, por nuk paraqitet ndonjë sulm kundër tyre.
Sidoqoftë, në një pjesë të mëvonshme të videos, një automjet ushtarak i blinduar shihet në tym e flakë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, të hënën paralajmëroi se Ukraina do të merrte një “kundërpërgjigje të denjë” për futjen e forcave të saj në rajonin Kursk.