Rusia pretendon se ka vrarë deri në 300 ushtarë ukrainas me një bombë termobarike
Rusia thotë se ka vrarë një numër të madh të ushtarëve ukrainas me një armë që njihet si bombë termobarike ose bombë vakuum, municion i fuqishëm që e thith oksigjenin përreth saj për ta mbështetur shpërthimin e vet.
Nënkomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse i tha ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, gjatë një takimi se deri në 300 ushtarë ukrainas u vranë “si rezultat i një sulmi të saktë nga një municion ajror”, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, raporton televizioni CNN.
Televizioni amerikan nuk mund ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë shifër dhe nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Ukraina.
Gjeneral Kolonel Alexei Kim nuk tregoi se ku ishte kryer sulmi, por e përshkroi vendin si “pikë dislokimi e formacionit nacionalist “Kraken”, sipas kësaj ministrie, duke iu referuar një njësie special të Inteligjencës së Mbrojtjes të Ukrainës.
Kimi shtoi se një “bombë me shpërthim volumetrik” u përdor në këtë sulm ajror, raportoi të shtunën agjencia ruse e lajmeve, “RIA Novosti”.
Armët volumetrike njihen edhe si bomba vakuum ose armë termobarike.
Shkatërrimi nga një armë termobarike vjen nga vala e shpërthimit që ajo e shkakton si dhe nga vakuumi që formohet nga përzierja karburant – ajër që e thith oksigjenin për ta mbështetur shpërthimin, sipas Institutit “Lieber” për Ligj dhe Luftë në Akademinë Ushtarake të ShBA-së në West Point.
Forca e një shpërthimi të tillë është e mjaftueshme për të rrëzuar ndërtesa e për të çarë organe. Sipas Qendrës për Kontrollim dhe Mospasurim të Armëve, muret dhe madje as shpellat nuk ofrojnë mbrojtje kundër këtyre armëve.