Rusia pretendon se ka parandaluar tri sulme ukrainase ndaj urës së Krimesë
Rusia ka thënë se ka ndalur tri sulme ukrainase gjatë natës së kaluar ndaj urës së Krimesë, e cila e lidh Gadishullin e Krimesë, i aneksuar nga Rusia më 2014, me territorin kryesor të Rusisë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ukrainase u munduan që ta sulmonin urën me dy barka pa vozitës, të ngarkuara me lëndë shpërthyese, raporton televizioni CNN.
“Droni i parë ujor u vërejt me kohë dhe u shkatërrua në Detin e Zi” në orën 23 e 15 minuta sipas kohës lokale, tha ministria ruse.
Një sulm tjetër me barkë u zmbraps tri orë më vonë, të shtunën herët në mëngjes. Rusia tha më vonë se kishte ndalur një sulm tjetër me dron ujor ndaj urës së rëndësishme, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo ministri pretendoi se droni i sulmit të tretë u shkatërrua në Detin e Zin ë orën 2 e 20 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “RIA Novosti”, raportoi të premten se lëvizja e automjeteve në urë ishte kufizuar përkohësisht, duke e cituar qendrën operacionale të Rusisë.
Ukraina ende nuk i ka komentuar pretendimet e Rusisë për zmbrapsjen e sulmeve ndaj urës së Krimesë.
Para disa ditëve, një zyrtar ukrainas i sigurisë e mori përgjegjësinë për sulmin e 17 korrikut ndaj kësaj ure, kur ishte raportuar për dy të vdekur e një të lënduar, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia.
Ura gati 20 kilometra e gjatë është më e gjata në Evropë dhe ka rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike për Moskën. Sulmi i korrikut ishte i dyti ndaj saj pas një sulmi tjetër në tetor të vitit të kaluar.
