Rusia planifikon të rimarrë mbetjet e dronit amerikan të rrëzuar mbi Detin e Zi
Moska ka thënë se synon të rimarrë mbetjet e dronit amerikan të rrëzuar të martën pas një incidenti me avionët luftarakë rusë, megjithatë Shtëpia e Bardhë ka thënë se rrënojat mund të jenë në ujëra aq të thella sa që rikuperimi është i pamundur.
“Nuk e di nëse mund ta rikuperojmë apo jo, por sigurisht që do të na duhet ta bëjmë këtë dhe do të merremi me të,”- është shprehur të mërkurën Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke shtuar se “shpreson për sukses”.
Ndërkohë, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, ka thënë se Rusia kishte aftësinë teknologjike për të rikuperuar mbetjet e dronit MQ-9 Reaper nga ujërat.
Bësohet se vendi i goditjes së dronit të jetë në ujërat ndërkombëtare në brigjet perëndimore të Krimesë së pushtuar, ku Rusia ka krijuar baza detare dhe fusha ajrore.
Çfarë ndodhi?
Kujtojmë se të martën u raportua se një avion luftarak rus ka detyruar rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.
Sipas CNN, droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.
Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.
Kujtojmë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tensionet mes ShBA-së dhe Rusisë vetëm se janë rritur me kërcënime e provokime të herëpasherëshme nga të dyja palët, e ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, incidenti i fundit më dron është ndërveprimi i parë i njohur që potencialisht mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm mes dy vendeve në një kohë kritike të luftimeve
