Rusia pëson goditje të rëndë në luftë, i sulmohet masivisht ura që e lidh me Krimenë e aneksuar - NACIONALE

Rusia pëson goditje të rëndë në luftë, i sulmohet masivisht ura që e lidh me Krimenë e aneksuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ura “Kerch”, që e lidh Rusinë me Krimenë, simbol i urryer i pushtimit rus të gadishullit jugor ukrainas, është goditur nga një shpërthim masiv në pjesën që shërben për trafik hekurudhor.

Në fotografitë e publikuara në internet shihet një zjarr i madh në të paktën dy vagonë të një treni në urë, bashkë me shtëllungën e madhe të tymit të zi, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.

Shpërthimi, për të cilin dëshmitarët thanë se u dëgjua disa kilometra larg, ndodhi të shtunën rreth orës 6 të mëngjesit përderisa një tren po kalonte mbi urë, edhe pse nuk qe menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Kjo urë ka simbolikë të rëndësishme për Rusinë dhe është rrugë e rëndësishme logjistike për forcat ruse në Krime.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, e ka quajtur dëmtinin e urës “fillim”, por nuk e ka shpallur drejtpërdrejt përgjegjësinë e Ukrainës për këtë sulm, raporton televizioni BBC.

“Gjithçka e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet të dëbohet”, shkroi ai në rrjete sociale.

Sipas një eksperti ushtarak britanik për mjete shpërthyese, dëmtimi i urës duket si “kryevepër e sabotazhit klandestin”. Eksperti i tha gazetarit të BBC-së, Paul Adams, se kjo duket si vepër e forcave speciale ukrainase.

Ura “Kerch”, e ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia më 2014, është rruga e vetme e rëndësishme furnizuese e Rusisë për në Krime.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për formimin e një komisioni qeveritar për ta hetuar rastin e sulmit, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai tha: “Presidenti e ka udhëzuar kryeministrin që të formojë një komision qeveritar për t’i përcaktuar shkaqet e incidentit dhe për t’i eliminuar pasojat sa më shpejt që është e mundshme.”

Zëdhënësi rus shtoi se ministri i Transportit, Vitaly Savelyev, dhe ministri i Situatave Emergjente, Aleksandr Kurenkov, janë duke udhëtuar për në vendin e incidentit.

Çfarë rëndësie ka për Rusinë ura e sulmuar?

E hapur nga Putini më 2018, ura që ka hapësirë rrugore dhe hekurudhore, ishte ndërtuar me qëllimin që ta paraqiste imazhin se Krimea është ruse.

Ajo është lidhja e vetme mes Rusisë dhe Krimesë, gadishull që ishte aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska më 2014.

Gjatë luftës, Rusia e ka përdorur këtë urë për të transportuar pajisje, municion dhe personel ushtarak nga Rusia për në fushëbetejat e Ukrainës.

Duke shërbyer për qëllime të tilla, autoritetet ukrainase kanë thënë se ura ishte cak legjitim për t’u sulmuar, kur Ukraina është zotuar për ta marrë përsëri nën kontroll gadishullin.

Kievi e ka momentumin e vet në luftë. Forcat ukrainase kanë marrë nën kontroll territore të pushtuara përmes një kundërsulmi, duke i detyruar ushtarët rusë që t’i braktisnin pozicionet e mbajtura për një kohë të gjatë.

Pas humbjeve, Moska ka kryer një mobilizim kaotik ushtarak, që ka nxitur protesta të rralla kundër luftës në Rusi dhe largim masiv të burrave rusë nga atdheu i tyre.

Udhëheqësi i Krimesë, i vendosur në post nga rusët, ka thënë se puna për riparimin e urës mund të fillojë qysh të shtunën.

Sergei Aksyonov po mundohet që t’i sigurojë njerëzit që jetojnë në gadishull se ka furnizime të mjaftueshme me ushqim dhe karburante./Nacionale

Lajme të ngjashme