Rusia paralajmëron për “rrezik enorm”, nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë
Rusia tha të mërkurën se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishte potencialisht tepër i rrezikshëm dhe se Moska po përcjell nga afër një peticion ukrainas me të cilin bëhet thirrje për ndërhyrje të tillë.
Në peticion, i publikuar në uebfaqen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, thuhet se Ukraina duhet të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtete të tjera që të dërgojë trupa për ta ndihmuar vendin për ta sprapsur pushtimin rus, raporton agjencia “Reuters”.
“Regjimi i Kievit është goxha i paparashikueshëm” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për këtë peticion në konferencën e përditshme për gazetarë.
“Ne në mënyrë të vazhdueshme kemi thënë se intervenimi i drejtpërdrejtë në terren në këtë konflikt përmes ushtrisë së vendeve të NATO-s potencialisht bart rrezik enorm, prandaj ne e konsiderojmë këtë si provokim tepër sfidues, asgjë më pak, dhe, natyrisht, po e shikojmë këtë me shumë kujdes” – shtoi Peskovi.
Nuk qe e qartë nëse për peticionin do të grumbullohet numri i nevojshëm i nënshkrimeve – 25 mijë – për të kërkuar nga presidenti Volodymyr Zelensky që t’i përgjigjet qoftë përmes miratimit, qoftë përmes refuzimit. Deri të mërkurën në mëngjes, këtë peticion e nënshkruan 1.594 persona.
Disa shtete të NATO-s e kanë përkrahur Ukrainën në luftë përmes dërgimit të armëve të fuqishme, përfshirë tanket e raketat me rreze të gjatë, por nuk kanë ndërhyrë drejtpërdrejt me ushtarë – veprim për të cilin presidentët e ShBA-së dhe Rusisë – Joe Biden e Vladimir Putin – kanë paralajmëruar se do të mund të çonte te Lufta e Tretë Botërore.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se çështja e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë do të ngrihej “në mënyrë legjitime”, nëse Rusia i thyen vijat ukrainase të mbrojtjes dhe nëse Kievi paraqet kërkesë të tillë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të mërkurën se forcat e vendit të saj do t’i shënjestronin trupat franceze në rast të dërgimit të tyre në Ukrainë.