Rusia paralajmëron për eskalim pas shpërthimit masiv të pejxherëve në Liban - NACIONALE

Rusia paralajmëron për eskalim pas shpërthimit masiv të pejxherëve në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini paralajmëroi të mërkurën se një sulm ndaj grupit Hezbollah dhe të tjerëve duke përdorur pejxherë shpërthyes mund të bëhet nxitje për një konflikt më të gjerë rajonal dhe bëri thirrje që autorët të identifikohen përmes një hetimi.

Mijëra pejxherë – pajisje të vogla për komunikim – shpërthyen në pjesë të ndryshme të Libanit, duke lënë 12 të vrarë e gati tre mijë të tjerë të plagosur, përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe ambasadorin iranian në Bejrut, raporton agjencia “Reuters”.

Një burim i lartë i sigurisë në Liban dhe një burim tjetër i thanë agjencisë “Reuters” që agjencia izraelite e spiunimit, Mossad, kishte vendosur lëndë shpërthyese brenda pesë mijë pejxherëve të importuar nga Hezbollahu disa muaj para shpërthimeve të së martës.

“Ajo që ndodhi, çfarëdo që ishte, qartazi çon te një eskalim i tensionit. Vetë rajoni [Lindja e Mesme] është në gjendje shpërthyese dhe qartazi një incident si ky, secili prej tyre, e ka potencialin për të qenë këmbëz që situata të dalë nga kontrolli” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Natyrisht, ne besojmë që një hetim i plotë i këtij incidenti duhet të kryhet, shkaktarët dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur duhet të përcaktohen dhe, natyrisht, ata që qëndrojnë prapa këtyre shpërthimeve masive të pajisjeve të komunikimit duhet të identifikohen” – shtoi ai.

Peskovi tha gjithashtu se konkluzionet e një hetimi të tillë do t’i lejonte specialistët që ta eliminojnë rrezikun që diçka e ngjashme të ndohë në Rusi ose në vende të tjera.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët të mërkurën se sulmi ishte akt i luftës hibride kundër Libanit ku tha se mijëra njerëz të pafajshëm ishin lënduar.

“Duket se organizatorët e këtij sulmi me teknologji të lartë qëllimisht synuan që shkaktonin një ballafaqim të armatosur të shkallës së lartë me qëllim që të provokohej një luftë e madhe në Lindje të Mesme” – tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova./Nacionale

Lajme të ngjashme