Rusia paralajmëron kundërpërgjigje, nëse Ukraina përdor raketa amerikane ATACMS
Kremlini tha të mërkurën se Rusia do të jepte “kundërpërgjigje të duhur”, nëse Shtetet e Bashkuara e lejojnë Ukrainën që të sulmojë thellë brenda territorit rus me raketa me rreze të gjatë, ATACMS, vendim për të cilin Moska dyshon se tashmë është marrë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mënyrë të përsëritur i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i lejojë forcat e vendit të tij të përdorin armë me rreze të gjatë për ta sulmuar Rusinë, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, tha të martën se administrata e tij ishte “duke e planifikuar atë tani”, kur u pyet nëse do t’ia hiqte Kievit kufizimet rreth përdorimit të sistemit ATACMS, raporton agjencia “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu tha gazetarëve në konferencën e përditshme se duket sikur Uashingtoni tashmë ka vendosur që t’ia lejojë Ukrainës përdorimin e armëve për sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë.
Moska do të kishte një kundërpërgjigje “të duhur”, nëse do të ndodhte një gjë e tillë, tha Peskoiv, por shtoi se “nuk ka nevojë që të pritet një lloj kundërpërgjigjeje kudo”.
“Për të gjitha këto veprime, SMO-ja [operacioni special ushtarak] është kundërpërgjigjja” – tha ai, duke e përdorur termin e parapëlqyer të Moskës për konfliktin në Ukrainë.
“Secili prej këtyre vendimeve, i marrë nga Perëndimi kolektiv e pastaj i atribuuar Ukrainës, është një vërtetim shtesë i justifikimit, nevojës dhe cilësisë së të qenët i pashmangshëm i SMO-së” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.