Rusia paralajmëron: Do t’i vihemi pas secilit shtet që i merr asetet tona
Rusia paralajmëroi të hënën se do t’i vihet nga pas cilitdo shtet evropian që synon t’ia marrë asetet, pas raportimeve se Bashkimi Evropian po kërkon mënyra të reja që të shfrytëzojë asete të ngrira ruse me vlerë të qindra miliarda dollarëve për ta ndihmuar Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe me Ministrinë e Financave, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e dërgoi ushtrinë e vendit të tij në Ukrainë më 2022, dhe bllokuan asete sovrane ruse me vlerë të 300 deri 350 miliardë dollarëve, kryesisht letra me vlerë të mbajtura në thesarin e sigurimeve evropiane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia “Reuters” raportoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dëshiron që Bashkimi Evropian të gjejë një mënyrë të re për ta financuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë duke i përdorur balancat e parave të gatshme, të lidhura me asetet ruse që janë ngrirë në Evropë.
Mediumi “Politico” raportoi se Komisioni Evropian është duke e shqyrtuar idenë e përdorimit të depozitave ruse në para të gatshme në Bankën Qendrore Evropiane nga letrat me vlerë që janë në pronësi nga Rusia për të financuar një “hua dëmshpërblimesh” për Ukrainën.
“Nëse kjo ndodh, Rusia do t’i ndjekë shtetet evropiane, si dhe të degjeneruarit evropianë nga Brukseli dhe shtetet individuale të BE-së që mundohen ta konfiskojnë pronën tonë, deri në fund të shekullit” – shkroi në rrjetin “Telegram” ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Rusia do t’i ndjekë shtetet evropiane “në të gjitha mënyrat e mundshme” dhe “në të gjitha gjykatat vendore e ndërkombëtare të mundshme” si dhe “jashtë gjykatës”, tha Medvedevi, i cili tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë.
Rusia thotë se çfarëdo konfiskimi i aseteve të saj përbën vjedhje nga Perëndimi dhe do ta minonte besimin në letrat me vlerë dhe valutat e ShBA-së dhe Evropës.
Në anën tjetër, shtetet evropiane thonë se Rusia është përgjegjëse për shkatërrimin e Ukrainës në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se Moska duhet të detyrohet që ta paguajë dëmin.
Disa zyrtarë bankash, megjithatë, kanë qenë të kujdesshëm për efektin që konfiskimi i aseteve sovrane do ta kishte ndaj besimit që shtetasit e huaj e kanë për t’i mbajtur paratë e tyre të investuara në letrat me vlerë të qeverive perëndimore./Nacionale