Rusia nis sulmin e dytë më të madh ajror të luftës në Ukrainë
Kievi u bombardua gjatë natës nga Rusia në sulmin e dytë më të madh ajror që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, ku sipas autoriteteve të paktën 23 persona u vranë, mes tyre katër fëmijë, shkruan CNN.
Goditjet dëmtuan ndërtesa që i përkasin Bashkimit Evropian dhe British Council, gjë që bëri që si BE-ja ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar të thërrasin ambasadorët kryesorë rusë në kryeqytetet e tyre.
Sipas kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko, në mesin e viktimave janë fëmijë të moshës 2, 14 dhe 17 vjeç. Shumica dërrmuese e të vrarëve – 22 persona – humbën jetën nga goditja e një ndërtese pesëkatëshe në distriktin Darnytskyi, sipas shërbimeve të emergjencës.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Kremlini lëshoi gjithsej 629 armë sulmuese ajrore gjatë natës – 598 dronë dhe 31 raketa. Yuriy Ihnat, shefi i komunikimit për forcat ajrore, e cilësoi këtë si “një nga sulmet më të mëdha të kombinuara” ndaj vendit.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se shënjestrimi ishte bërë ndaj “ndërmarrjeve të kompleksit ushtarako-industrial dhe bazave ajrore ushtarake në Ukrainë” me “armë me precizion të lartë.” Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska mbetet e interesuar për bisedime paqeje, por theksoi se “operacioni special ushtarak” – siç e quan Rusia luftën – “vazhdon.”
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti sulmin një “vrasje të tmerrshme dhe të qëllimshme të civilëve” në një postim në X.
Në një reagim të mëhershëm, ai tha: “Këto raketa dhe dronë rusë sot janë një përgjigje e qartë ndaj të gjithëve në botë që prej javësh e muajsh kanë bërë thirrje për armëpushim dhe diplomaci të vërtetë.”
Autoritetet ukrainase thanë se qindra ekipe shpëtimi u dërguan në vendet e goditura, përfshirë edhe një ndërtesë të përdorur nga misioni i BE-së në Ukrainë.
Ky mision, i pranishëm në Kiev që nga viti 1993, ka si qëllim të “promovojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike” mes Ukrainës dhe BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “e tërbuar” nga ky incident, duke e cilësuar atë si “një kujtesë të zymtë të asaj që është në rrezik.”
Ajo theksoi: “Kjo tregon se Kremlini nuk do të ndalet para asgjëje për të terrorizuar Ukrainën, duke vrarë verbërisht civilë, burra, gra dhe fëmijë, madje duke shënjestruar edhe Bashkimin Evropian.”
Von der Leyen bëri të ditur se ka biseduar me presidentin Zelensky dhe me presidentin amerikan Donald Trump pas sulmeve, duke shtuar në një postim në X se presidenti rus Vladimir Putin “duhet të ulet në tryezën e negociatave.”