Rusia nis masat ligjore kundër planit evropian për t’ia dhënë hua Ukrainës paratë e ngrira ruse
Rusia do të ndërmarrë veprime ligjore si kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve nga aleatët evropianë të Ukrainës për t’i përdorur asetet e ngrira ruse për ta ndihmuar Kievin që t’i financojë ushtrinë dhe ekonominë.
Banka Qendrore e Rusisë do ta padisë bankën belge “Euroclear” në një gjykatë në Moskë. Zyrtarët rusë e akuzojnë Bashkimin Evropian për akt të vjedhjes, raporton televizioni BBC.
Rusisë gjithsej i janë ngrirë asete në vlerë të rreth 210 miliardë eurove brenda Bashkimit Evropian disa ditë pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukainës më 2022, ndërsa 185 miliardë euro nga kjo shumë janë duke u mbajtur në bankën “Euroclear”.
Bashkimi Evropiand dhe Ukraina argumentojnë se këto para duhet të përdoren për t’i rindërtuar ato që Rusia i ka shkatërruar. Brukseli e quan këtë “plan dëmshpërblimesh” dhe ka dalë me një propozim për ta mbështetur ekonominë ukrainase me 90 miliardë euro.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, thotë se këto asete “do t’i mundësojnë Ukrainës që ta rindërtojë veten në mënyrë efikase kundër sulmeve ruse të së ardhmes”.
Veprimet ligjore të Rusisë priteshin në Bruksel, por nuk është vetëm Moska që ka shprehur pakënaqësi.
Belgjika gjithashtu është e shqetësuar se mund t’i ngarkohet një faturë gjigante, nëse gjërat shkojnë keq dhe shefja ekzekutive e bankës “Euroclear”, Valerie Urbain, thotë se përdorimi i kësaj kompanie mund ta “destabilizojë sistemin financiar ndërkombëtar”.