Rusia mohon se trupa me bazë në Ukrainë kanë hyrë në territorin e saj - NACIONALE

Rusia mohon se trupa me bazë në Ukrainë kanë hyrë në territorin e saj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia tha se forcat e saj parandaluan hyrje trupash nga Ukraina të martën dhe u shkaktuan humbje të rënda sulmuesve, pasi disa grupe të armatosura me bazë në Ukrainë thanë se kishin nisur sulme matanë kufirit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se “formacione terroriste” ukrainase, të mbështetura nga tanke e automjete të blinduara luftarake, u munduan që të futeshin në tri drejtime të ndara në rajonin Belgorod të Rusisë rreth orës 3 të mëngjesit sipas zonës kohore të Moskës, raporton gazeta “The Guardian”.

Përgjegjësia për këto operacione u mor nga të paktën dy grupe të armatosura me bazë në Ukrainë – Legjioni “Liria e Rusisë” dhe Batalioni Siberian – të cilat pretendojnë se përbëhen nga rusë që e kundërshtojnë Kremlinin.

Legjioni “Liria e Rusisë” në një shkrim në rrjetin “Telegram” tha: “Ne do ta marrim tokën tonë nga regjimi centimetër për centimetër.”

Ukraina goditi caqe në pjesë të ndryshme të Rusisë të martën me të paktën 25 dronë e nëntë raketa, duke i vënë flakën një rafinerie të rëndësishme të naftës.

Kur u pyet për këto sulme dhe incidentet kufitare, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Ushtria jonë është duke bërë gjithçka të nevojshme, sistemet e mbrojtjes ajrore janë duke punuar.”

Incidentet në kufi ndodhën tri ditë para fillimit të votimit në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, në të cilat presidenti i tanishëm, Vladimir Putin, pritet ta sigurojë zgjatjen e mandatit edhe për gjashtë vjet.

Lajme të ngjashme