Rusia mbetet pa “Absolut Vodka”, Suedia ndërpret eksportet e pijes
Prodhuesi i vodkës suedeze Absolut ka thënë se po ndalon të gjitha eksportet e pijes në Rusi pas thirrjeve për bojkotimin e markës që u ndezën në Suedi dhe në mediat sociale.
Sipas The Guardian, kompania Absolut ka thënë se kishte "vendosur të ndalonte eksportin e markës së saj në Rusi".
Stephanie Durroux, shefe ekzekutive e firmës, ka thënë në një deklaratë se kompania po ushtronte "detyrën e kujdesit" ndaj punonjësve dhe partnerëve të saj.
Ndërkohë, pronari i Absolut, Pernod Ricard, ka konfirmuar më herët në prill se kishte rifilluar disa eksporte në Rusi pasi më parë i kishte ndërprerë ato në mars 2022, menjëherë pas pushtimit rus në Ukrainë. Kompania po ashtu ka vënë në dukje se që nga nëntori i vitit të kaluar, Rusia kishte ndryshuar rregulloret e importit duke lejuar importet paralele të alkoolit pa lejen e importuesve të autorizuar, duke anashkaluar kështu sanksionet e BE-së.
Pernod Ricard ka theksuar se vendimi për të rifilluar eksportet ishte marrë pjesërisht për të mbrojtur stafin e saj në Rusi nga "përgjegjësia penale" dhe akuzat për "falimentim të qëllimshëm".
Megjithatë, ky vendim u përcoll me kritika në masë, e edhe nga politikanë të shquar në Suedi. Vetë kryeministri, Ulf Kristersson, ishte shprehur “shumë i befasuar” me vendimin. Ndërkohë që të tjerë, bënë thirrje për bojkot, duke e quajtur atë një "kolaps moral", "pa kurriz" dhe një "dhuratë për Putinin". Disa bare dhe restorante të njohura në Stokholm ndaluan shitjen e produkteve Pernod Ricard.
“Reagimi gjatë ditëve të fundit reflekton qartë rolin që luan Absolut për komunitetin e tij të gjerë në Suedi. Ne e pranojmë rëndësinë e këtyre marrëdhënieve të gjata dhe të besueshme me punonjësit, partnerët, konsumatorët dhe shoqërinë suedeze në përgjithësi,” – ka shtuar shefja ekzekutive, teksa ka njoftuar ndalimin e eksporteve të mëtejshme.
