G7: Pasoja të ashpra për Rusinë, nëse përdor armë bërthamore, kimike a biologjike në Ukrainë
Ministrat e vendeve të Grupit G7 kanë thënë se Rusia do të ballafaqohet me pasoja të ashpra për çfarëdo përdorimi të armëve kimike, biologjike ose bërthamore dhe se ata që po e përkrahin Rusinë do të përballen me kosto të rënda.
“Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë dhe kërcënimi i saj për të dislokuar armë bërthamore në Bjellorusi janë të papranueshme. Çfarëdo përdorimi i armëve kimike, biologjike ose bërthamore nga Rusia do të ballafaqohej me pasoja të ashpra”- thuhet në një komunikatë të publikuar nga ministrat të martën, raporton televizioni CNN.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj shpeshtimit të sanksioneve kundër Rusisë, bashkërendimit dhe zbatimit të plotë të tyre”- thuhet më tej në komunikatë. “Ne e përsërisim thirrjen tonë ndaj palëve të treta që ta ndërpresin asistencën ndaj luftës së Rusisë ose do të ballafaqohen me kosto të ashpra”- paralajmëruan ministrat e shtatë shteteve të zhvilluara.
Grupi e dënoi fuqishëm atë që e quajti “përdorim të gjerë të manipulimit të informatave dhe dezinformimit” nga Rusia për të siguruar përkrahje për luftën e saj kundër Ukrainës.
Në komunikatë thuhet se grupi e përkrah “eksplorimin e krijimit” të një tribunali ndërkombëtar të mbështetur në sistemin juridik të Ukrainës për t’i ndjekur penalisht krimet e agresionit kundër këtij shteti.
“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krime lufte dhe mizori të tjera, si sulmet e Rusisë kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike civile”- thuhet në komunikatë.
Ministrat e vendeve të Grupit G7 do t’i përmbyllin bisedimet treditore të martën në qytezën qendrore japoneze, Karuizawa.

