Rusia lëshon numër rekord të dronëve në Ukrainë pas telefonatës së re Trump – Putin - NACIONALE

Rusia lëshon numër rekord të dronëve në Ukrainë pas telefonatës së re Trump – Putin

2 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia lëshoi një numër rekord të dronëve drejt Ukrainës gjatë natës së kaluar, duke goditur shumë ndërtesa e zona banimi, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “nuk ka bërë progres” drejt një marrëveshjeje armëpushimi në një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

Të paktën 23 njerëz u plagosën nga sulmi që zgjati 13 orë, sipas autoriteteve lokale dhe ushtarake në Kiev. Ukraina pengoi 476 nga numri rekord prej 539 dronësh të lëshuar nga Rusia, sipas forcës ajrore ukrainase, e cila tha se Rusia hodhi gjithashtu 11 raketa, raporton televizioni CNN.

Mijëra banorë e kaluan natën në strehimore, përfshirë stacionet e hekurudhës nëntokësore ose parkingjet nëntokësore, ndërsa shpërthimet dhe zhurma e dronëve po dëgjoheshin në qytet në orët e hershme të së premtes.

Natë absolutisht e tmerrshme dhe pa gjumë në Kiev. Njëra nga më të këqijat deri më tani” – tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti këtë “njëri nga sulmet ajrore me shkallën më të lartë” me të cilin është ballafaquar vendi.

Sulmet shkaktuan zjarre në ndërtesa dhe struktura në disa distrikte të qytetit dhe shkatërruan pjesërisht ndërtesa shumëkatëshe, sipas Shërbimit Emergjent Shtetëror të Ukrainës. Ato gjithashtu shkatërruan një pjesë të hekurudhave të Kievit dhe dëmtuan pesë autoambulanca që po u përgjigjeshin thirrjeve nga të plagosurit.

Javëve të fundit, Rusia ka kryer sulme ajrore pothuajse çdo natë kundër Ukrainës, duke përdorur qindra raketa e dronë. Më herët këtë javë, kryediplomati ukrainas tha se vetëm në muajin qershor, Rusia ka hedhur 330 raketa, përfshirë gati 80 raketa balistike, 5 mijë dronë luftarakë dhe 5 mijë bomba rrëshqitëse./Nacionale

Lajme të ngjashme