Rusia kryen sulm ajror në Kiev disa orë para fillimit të samitit të NATO-s
Rusia kreu një sulm ajror në Kiev të Ukrainës në orët e para të së martës, tha ushtria ukrainase, vetëm disa orë para fillimit të samitit të NATO-s në Lituani, ku pritet të diskutohet për rreziqet e sigurisë nga Moska.
“Armiku e sulmoi Kievin nga ajri për herë të dytë këtë muaj"- tha në një shkrim në “Telegram” kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.
Sistemi i mbrojtjes ajrore i Ukrainës i rrëzoi të gjithë dronët iranianë “Shahed” që Rusia i hodhi para se ata t’i arrinin shënjestrat e tyre, sipas këtij zyrtari. Nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz ose dëme materiale, raporton gazeta “The Guardian”.
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në Kiev për një orë e më gjatë në pjesë të tjera në lindje të Ukrainës, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.
Samiti i NATO-s fillon të martën në Vilnius të Lituanisë. Në të pritet të diskutohet për pasojat e pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa udhëheqësit planifikojnë që t’i miratojnë planet e para gjithëpërfshirëse të aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm nga Rusia.
