Rusia kreu sulm vdekjeprurës me dronë në Odesa, thotë guvernatori - NACIONALE

Rusia kreu sulm vdekjeprurës me dronë në Odesa, thotë guvernatori

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dronët rusë kanë lënë të paktën dy persona të vrarë dhe pesë të tjerë të lënduar gjatë një sulmi ndaj qytetit Odesa të Ukrainës, sipas guvernatorit rajonal.

Guvernatori Oleh Kiper tha në rrjete sociale se nga ky sulm u dëmtuan ndërtesa të larta banimi, një dyqan dhe një shkollë, raporton televizioni BBC.

Në pjesë të tjera të vendit, kryetari i qytetit Kharkiv tha se një dron ra në një pompë karburantesh në qendër të qytetit, ndërsa shpërthime u dëgjuan edhe në qytetin Sumy.

Rusia ende nuk i ka komentuar sulmet.

“Armiku është duke e sulmuar Odesën me dronë sulmues. Ka dëm të konsiderueshëm ndaj infrastrukturës civile, posaçërisht ndaj ndërtesave të banimit” – shkroi guvernatori, para se më vonë t’i konfirmonte viktimat.

“Dy njerëz vdiqën dhe pesë të tjerë u lënduan si rezultat i sulmit. Mjekët po ua ofrojnë asistencën e nevojshme viktimave” – tha ai.

Kryetari i qytetit Odesa, Gennady Trukhanov, tha: “Armiku ka kryer një sulm tjetër masiv ndaj qytetit. Ndërtesa banimi dhe infrastruktura civile janë dëmtuar në zona të ndryshme të Odesës.”

Në video e fotografi të publikuara në rrjete sociale, të cilat televizioni BBC nuk i ka verifikuar, shfaqen shpërthime e ndërtesa të dëmtuara.

Odesa, qytet bregdetar me rëndësi strategjike në Detin e Zi, ka rreth një milion banorë. Ky vendbanim është sulmuar në mënyrë të përsëritur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, këtë javë shpalli një armëpushim të përkohshëm treditor në luftën me Ukrainën. Kremlini ka thënë se armëpushimi do të zbatohet mes datave 8 e 11 maj, periudhë që përkon me festimin e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Si kundërpërgjigje, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, i cili do të zgjaste “të paktën 30 ditë”./Nacionale

Lajme të ngjashme