Rusia kërcënon me më shumë sulme ndaj Kievit, u bën thirrje të huajve që të largohen
Rusia ka kërcënuar me një valë të re të “sulmeve sistematike” kundër Kievit, disa ditë pasi i kreu disa nga sulmet më të mëdha ndaj kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i luftës më 2022.
Në shënjestër të sulmeve të reja do të jenë “qendrat e vendimmarrjes dhe pikat e komandës”, bashkë me objektet për prodhimin e dronëve në Kiev, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, raporton televizioni BBC.
Moska u ka bërë thirrje shtetasve dhe diplomatëve të huaj që të largohen nga Kievi “sa më shpejt që është e mundshme” dhe i paralajmëroi qytetarët që të qëndrojnë larg ndërtesave administrative dhe ushtarake.
Sulmet ruse të shkallës së lartë të shtunën natën lanë katër të vrarë e rreth 100 të lënduar në Kiev e në zona të tjera, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Moska tha se ato sulme dhe sulmet e reja me të cilat kërcënoi janë kundërpërgjigje ndaj atij që e cilëson si sulm të qëllimshëm të forcave ukrainase ndaj një konvikti studentësh në qytezën Starobilks të premten. Sipas zyrtarëve rusë, 21 njerëz janë vrarë në atë sulm.
Megjithatë, ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kishin goditur një njësi elite ushtarake ruse për dronë në zonë, në pjesën lindore të Ukrainës të pushtuar nga Rusia, dhe nuk kishin vënë në shënjestër civilë.
Rusia ka kryer disa valë sulmesh vdekjeprurëse me dronë e raketa në Kiev që nga mbajtja e një armëpushimi të shkurtër më herët në maj, me rastin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore./Nacionale