Rusia kap edhe dy fshatra të Ukrainës, po avancon drejt dy qyteteve
Forcat ruse kapën dy fshatra në Ukrainë, një në rajonin e Kharkivit, në verilindje të Ukrainës, dhe një tjetër në rajonin lindor të Donetskut, tha të dielën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Donetsku është rajoni ku Moska është duke i përqendruar shumicën e përpjekjeve për të marrë nën kontroll dy qytete. Forcat ruse, duke shënuar progres të vazhdueshëm në rajonin e Donetskut, janë duke lëvizur drejt qytezës Pokrovsk, qendër logjistike, dhe duket se po i afrohen Kurakhove-s, më në jug, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë thuhet se trupat ruse e kishin marrë kontrollin e fshatrave Lozova dhe Sontsivka. Lozova ndodhet afër qytezës Kupiansk, ndërsa Sontsivka në veri të Kurakhoves.
Të shtunën, kjo ministri e njoftoi marrjen nën kontroll edhe të një fshati tjetër afër Kurakhoves, Kostiantynopolske.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës nuk e përmendi rënien e këtyre dy fshatrave në duart e rusëve, por tha se Sontsivka ndodhet në një sektor që ishte në shënjestër të 26 sulmeve ruse në 24 orët e fundit. Shtabi gjithashtu raportoi për luftime të ashpra afër Pokrovskut, me 34 përpjekje ruse për të depërtuar nëpër vijat mbrojtëse ukrainase.
Blogu i njohur ushtarak ukrainas, “DeepState”, tha se fshati Sontsivka është nën kontrollin e rusëve.
Në raportimet ruse është përshkruar presion i shtuar ndaj Kurakhove-s. Guvernatori i emëruar nga Moska i zonave të rajonit të Donetskut të pushtuara nga forcat ruse, Denis Pushilin, tha se trupat ruse tani e kontrollojnë qendrën e qytezës. Ai gjithashtu tha se trupat ruse po avanconin drejt Pokrovskut nga jugu.
Trupat ruse kanë qenë në lëvizje nëpër Ukrainën lindore në dy muajt e fundit me ritmin më të shpejtë që nga fillimi i luftës.
Ushtria ukrainase tha të premten se forcat e saj ishin tërhequr nga zona përreth dy fshatrave – njëri afër Pokrovskut, tjetri afër Kurakhoves – për ta shmangur rrethimin nga forcat e armikut./Nacionale