Rusia ka shpëtuar në Ukrainë një amerikan që punonte për të, thonë mediat shtetërore
Mediat shtetërore ruse thanë të hënën se forcat e Moskës që po luftojnë në Ukrainë kanë tërhequr me sukses një shtetas amerikan nga pjesa lindore e Ukrainës, që në mënyrë sekrete i kishte ndihmuar ato që ta vënë në shënjestër Ukrainën për të paktën dy vjet.
Mediat shtetërore publikuan një fotografi të gjoja një civili amerikan në rroba civile duke përqafuar një grup të atyre që dukeshin forca speciale ruse me uniforma luftarake. Fytyra e tij ishte e hijezuar në fotografi, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia “Reuters” nuk arriti që t’i konfirmonte në mënyrë të pavarur raportimet ruse ku citoheshin forcat e Moskës në rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës, të kenë thënë se amerikanin po e quanin “Kenneth M.”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë tha se nuk mund të komentonte “për shkak të shqetësimeve për privatësinë”.
Mediat ruse e paraqesin këtë person si “Amerikani i Qetë”, sipas romanit të vitit 1955 të shkrimtarit Graham Greene, ku jepet rrëfimi për përfshirjen e hershme të ShBA-së në Vietnam përmes aventurave të një gazetari britanik dhe një agjenti amerikan.
Forcat ruse në rajonin e Donetskut citohen të kenë thënë se forcat speciale ruse dhe njësitet ushtarake e kishin nxjerrë amerikanin nga lindja e Ukrainës dhe se ai kishte qenë duke e furnizuar Rusinë me “inteligjencë të vlefshme” për dy vjet.
Mediat ruse thanë se ai kishte ofruar të dhëna që e kishin lejuar ushtrinë ruse që “të ekzekutonte sulme precize kundër armikut”.
“Jeta e amerikanit të shpëtuar nuk është në rrezik. Çështja e dhurimit të azilit politik dhe e bërjes së një qytetari të Rusisë është duke u zgjidhur” – citohen të kenë thënë forcat e përkrahura nga Rusia në Donetsk./Nacionale