Rusia nuk kursen as objektet fetare të Ukrainës, ka shkatërruar dhjetra prej tyre - NACIONALE

Rusia nuk kursen as objektet fetare të Ukrainës, ka shkatërruar dhjetra prej tyre

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka dëmtuar ose shkatërruar të paktën 59 objekte fetare në të gjithë vendin që nga fillimi i pushtimit të saj.

Në objektet e shkatërruara përfshihet një katedrale ortodokse të cilës i është copëtuar kambana, një shkollë hebarike që është goditur nga bombardimet dhe kishat famullitare të cilat janë rrafshuar thuajse tërësisht.

Sipas Konventës së Hagës, sulmi ndaj monumenteve historike dhe vendeve të trashëgimisë kulturore është një krim lufte.

Edhe pse Rusia, ka mohuar shënjestrimin e infrastrukturës civile, BBC ka identifikuar një numër objektesh fetare të cilat kanë pësuar dëmtime.

Një katedrale e granatuar

Katedralja e Shën Michael u përshkrua nga zyra turistike e Mariupolit si "vendi më i bukur" në rrethin e Bregut të Majtë të qytetit. Duke ofruar "pamje panoramike të detit Azov, kodrave të gjelbërta dhe fshatrave bregdetare", katedralja - e hapur në vitin 1997 - ka tërhequr si adhurues ashtu edhe vizitorë. Por pas javësh të bombardimeve të pamëshirshme ruse në qytetin port jugor, kupola kurorëzuese e katedrales ortodokse, tani ka mbetur vetëm një copë çeliku e gërvishtur e me tulla të thyera. Edhe dritaret e xhamit të katedrales janë thyer dhe në muret e saj me tulla të kuqe janë hapur vrima.

Një kishë famullitare e copëtuar

Kisha Ortodokse e Ukrainës, ka bërë të ditur se edhe një kishë në fshatin e vogël Yasnohorodka, rreth 40 km në perëndim të Kievit, është goditur gjithashtu nga granatimet.

Thuhet se dy predha kanë goditur kupolën në majë të Kishës së Lindjes së Virgjëreshës së Bekuar më 5 mars, duke dëmtuar rëndë kambanoren e saj. Po ashtu, thuhet se edhe dritare e dyert e kishës, janë dëmtuar nga plumbat që duken të jenë nga një mitraloz i kalibrit të rëndë.

Mes luftimeve të ashpra, gjatë sulmit rus në këtë fshat, është vrarë gjithashtu edhe një prift nga një kongregacion tjetër i fshatit.

Është goditur edhe një sinagogë

Në çatinë e një Yeshiva, vend i përdorur nga komuniteti hebre për studime fetare – u godit nga një predhë ruse.

Ndërtesa e Yeshiva funksionon gjithashtu si një sinagogë, një shkollë e mesme dhe një konvikt, thuhej në postim nga komuniteti hebre i qytetit. "Raketa nuk shpërtheu, por bëri një vrimë të madhe në çati."

Sulmi bëri që kreu i Organizatës Botërore të Sinagogës, David Ben-Na'eh, t'i shkruante kryerabinit rus, Berel Lazar, duke i kërkuar atij që t'i kërkonte Vladimir Putinit të urdhëronte ushtrinë ruse të ndalojë dëmtimin e sinagogave dhe vendeve të shenjta.

Rusia mohon të ketë goditur qytetin e shenjtë hebre

Në një fjalim në parlamentin e Izraelit javën e kaluar, Presidenti i Ukrainës Zelensky pretendoi se Rusia kishte goditur qytetin Uman, një vend i nderuar nga shumë hebrenj hasidikë.

Zelensky, i cili është hebre, tha se raketat ruse goditën qytetin në ditën e parë të pushtimit në shkurt. Dhjetëra mijëra hebrenj hasidikë udhëtojnë në Uman çdo Rosh Hashanah (Vit të Ri hebre) për të vizituar varrin e rabinit Nachman të Breslovit, i cili ringjalli Lëvizjen Hasidike dhe vdiq në 1810.

Moska ka mohuar këto pretendime, duke shpërndarë imazhe per të cilat thotë se pranë një sinagoge kanë qenë forvat ukrainase duke ngarkuar armë.

“Dua të nënvizoj se forcat e armatosura ruse nuk godasin objektiva civile si pjesë e operacionit special ushtarak”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Ndërkohë, Komuniteti i Bashkuar Hebre i Ukrainës përmes Telegramit tha se:

"Të gjitha sinagogat dhe vendet hebraike në Ukrainë përdoren ekskluzivisht për qëllimin e tyre të synuar, për të kryer aktivitete fetare ose për të ndihmuar anëtarët e komuniteteve hebraike dhe popullsinë lokale."

Ndërsa, Irina Rybnitskaya, një nga hebrenjtë e mbetur në Uman, i tha gazetës izraelite Haaretz se pretendimet e Moskës "nuk ishin të vërteta".

"Askush nuk i përdor sinagogat për arsye tjera, përveç arsyeve se pse sinagogat duhet të përdoren," tha ajo.

Një kishë e thërrmuar në një qytet të shkatërruar

Një kishë në qytetin juglindor të Volnovakha ka pësuar dëmtime të rënda pas disa ditëve të bombardimeve ruse.

Tempulli i qytetit të Kishës Ortodokse të Ukrainës, i ndërtuar për të nderuar ushtarët ukrainas që vdiqën duke luftuar me militantët pro-rusë në vitin 2014, është shkatërruar. Kupola e artë e kishës është e prishur dhe punimet prej druri janë copëtuar.

Guvernatori rajonal i Donetsk ka thënë se Volnovakha - dikur shtëpia e rreth 22,000 njerëzve - "nuk ekziston më".

Ndërsa, imazhet satelitore të shpërndara nga Maxar Technologies, të marra para dhe pas sulmit, kanë shfaqur shkallën e dëmit dhe shkatërrimin e vendeve shpirtërore të Ukrainës që ka lënë shumë nga komunitetet fetare të tronditura thellë.

"Është një lloj makthi, nuk mund të gjej asnjë fjalë për ta përshkruar këtë," tha Sergiy Berezhnoy, një prift nga Kisha Ortodokse e Ukrainës.

“Është e tmerrshme, është antinjerëzore”, tha ai për BBC-në. "Unë nuk e di pse trupat ruse qëllojnë mbi kishat - nëse jemi të krishterë, duhet të kujdesemi për paqen."

Berezhnoy tha se ai ka vazhduar të mbajë shërbime në shkallë të vogël në kishën e tij në kryeqytet mes një shtetrrethimi dhe sulmeve ajrore.

"Është një vend ku njerëzit mund të gjejnë ndihmë, mbështetje," thotë ai. "Ne po lutemi për vendin tonë - për secilin ukrainas, për t'i shpëtuar ata."

Lajme të ngjashme