Rusia i thotë Finlandës se do t’i kundërpërgjigjet paktit të saj të mbrojtjes me ShBA-në - NACIONALE

Rusia i thotë Finlandës se do t’i kundërpërgjigjet paktit të saj të mbrojtjes me ShBA-në

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia e ftoi në takim ambasadorin e Finlandës në Moskë të martën për t’u ankuar për një marrëveshje të re të mbrojtjes, me të cilën i jepet qasje ShBA-së në afërsi të kufirit të shtetit të ri të NATO-s me Rusinë, tha të martën Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ambasadorit finlandez iu tha se Moska “nuk do ta lërë pa përgjigje grumbullimin e potencialit ushtarak të NATO-s në kufirin tonë, që e kërcënon sigurinë e Federatës Ruse, dhe do të ndërmarrë masa të nevojshme për t’iu kundërvënë vendimeve agresive të Finlandës dhe aleatëve të saj të NATO-s”, thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Finlanda u bë anëtarja më e re e aleancës ushtarake të udhëhequr nga ShBA-ja këtë vit si kundërpërgjigje ndaj fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, raporton agjencia "Reuters".

Qëllimi i marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara është lejimi i qasjes së shpejtë ushtarake dhe ndihmave për Finlandën në rast konflikti, kishin thënë zyrtarët para njoftimit të marrëveshjes.

Në këtë marrëveshje përfshihen 15 qendra dhe zona në Finlandë në të cilat ushtria amerikane do të ketë qasje të papenguar dhe ku ajo gjithashtu mund të vendosë pajisje ushtarake e municion, përfshirë katër baza ajrore e një port ushtarak.

Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje të ngjashme me shumë shtete të tjera të Evropës Lindore.

Kremlini tha të premten se ky pakt do të paraqiste “kërcënim të qartë ndaj nesh” dhe do të çonte në tensione me Helsinkin.

Më shumë për këtë pakt mund të lexoni në artikullin e mëposhtëm:

"Blindohet" Finlanda, do të nënshkruajë pakt të mbrojtjes me ShBA-në në rast sulmi

Lajme të ngjashme